Secondary Adv

Gati 40 për qind e shqiptarëve në mbijetesë, të ardhurat rriten por varfëria thellohet

INSTAT: Në vitin 2025, 39,4 për qind e popullsisë ishte në rrezik varfërie ose përjashtimi social.

Gati 40 për qind e popullsisë shqiptare vazhdon të jetë në rrezik për varfëri ose përjashtim social, pavarësisht përmirësimit të lehtë të treguesve të nivelit të jetesës gjatë vitit 2025. Të dhënat tregojnë se vështirësitë ekonomike mbeten të konsiderueshme për një pjesë të madhe të familjeve shqiptare, edhe pse ekonomia e vendit po rritet mbi mesataren e dekadës dhe Leku është forcuar ndjeshëm ndaj Euros.


Sipas Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), treguesi i rrezikut për varfëri ose përjashtim social arriti në 39,4 për qind të popullsisë në vitin 2025, nga 40,5 për qind në vitin 2024. Kjo përfaqëson një ulje prej vetëm 1,1 pikë përqindjeje brenda një viti.


Ky tregues përfshin individët që janë në rrezik varfërie për shkak të të ardhurave të ulëta, ata që përballen me privime të rënda materiale dhe sociale, si dhe personat që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët punësimi. Megjithëse ka shënuar rënie, niveli prej 39,4 për qind tregon se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë vazhdon të përballet me vështirësi ekonomike dhe sociale.


Sipas INSTAT, treguesi i rrezikut për varfëri, i matur vetëm mbi bazën e të ardhurave, ishte 19 për qind në vitin 2025, nga 19,2 për qind një vit më parë.


Kufiri i rrezikut për varfëri për një individ arriti në 349.565 lekë në vit, nga 324.336 lekë në vitin 2024. Kjo do të thotë se një person me të ardhura të disponueshme të ekuivalentuara më të ulëta se rreth 29.130 lekë në muaj konsiderohet në rrezik për varfëri, sipas metodologjisë së përdorur nga INSTAT.


Ky është një tregues i varfërisë relative, i cili përcaktohet në nivelin 60 për qind të medianës së të ardhurave të disponueshme të ekuivalentuara të familjeve.


Mbi 31 për qind e popullsisë përballet me privime të rënda materiale dhe sociale

Një tjetër tregues që dëshmon vështirësitë ekonomike të familjeve shqiptare është shkalla e thelluar e privimit material dhe social. Sipas INSTAT, në vitin 2025 ky tregues ishte 31,2 për qind, nga 32,8 për qind në vitin 2024, duke regjistruar një ulje prej 1,6 pikë përqindjeje.


Privimi i thelluar material dhe social nënkupton pamundësinë për të përballuar të paktën shtatë nga trembëdhjetë nevoja të përcaktuara në metodologjinë statistikore.


Mes këtyre nevojave përfshihen mundësia për të përballuar një javë pushime jashtë shtëpisë, një shpenzim të paparashikuar prej 30 mijë lekësh, ngrohja e përshtatshme e banesës dhe sigurimi i një vakti me mish, peshk ose ekuivalentin e tyre çdo dy ditë. Treguesi përfshin gjithashtu nevoja të tjera që lidhen me kushtet e përditshme të jetesës.


Ndërkohë, 8,3 për qind e individëve të grupmoshës 18-64 vjeç jetonin në familje me intensitet shumë të ulët punësimi, nga 8,4 për qind në vitin e mëparshëm. Edhe ky tregues ka shënuar vetëm një përmirësim të lehtë.


Familjet me fëmijë përballen me rrezikun më të lartë të varfërisë

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rreziku për varfëri është dukshëm më i lartë në familjet me fëmijë në varësi. Në vitin 2025, 24,5 për qind e individëve që jetonin në këto familje ishin në rrezik për të qenë të varfër, krahasuar me 11 për qind të individëve në familjet pa fëmijë në varësi.


Krahasuar me vitin 2024, rreziku për varfëri në familjet me fëmijë është ulur nga 24,8 në 24,5 për qind. Në të kundërt, në familjet pa fëmijë në varësi, ky tregues është rritur nga 10,5 në 11 për qind.


Sipas grupmoshave, fëmijët deri në 17 vjeç regjistruan përmirësimin më të madh, me një ulje të rrezikut për varfëri prej 0,4 pikë përqindjeje.


Për individët e moshës 18-64 vjeç, treguesi zbriti lehtë në 18,5 për qind, nga 18,6 për qind një vit më parë. Ndërkohë, për popullsinë mbi 65 vjeç, rreziku për varfëri u rrit me 0,2 pikë përqindjeje.


Këto të dhëna tregojnë se familjet me fëmijë mbeten më të ekspozuara ndaj varfërisë, ndërsa përmirësimi i përgjithshëm i treguesve nuk është shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme ndërmjet grupmoshave dhe kategorive familjare.


Të ardhurat mesatare rriten me 10,5 për qind, por pabarazia thellohet

Megjithëse treguesit e varfërisë kanë shënuar një përmirësim të lehtë, të dhënat e INSTAT tregojnë se pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave është rritur gjatë vitit 2025.


Të ardhurat mesatare mujore të disponueshme për frymë, të ekuivalentuara, arritën në 56.487 lekë në vitin 2025, nga 51.122 lekë në vitin 2024. Kjo përfaqëson një rritje prej 10,5 për qind brenda një viti.


Megjithatë, rritja e të ardhurave mesatare është shoqëruar me zgjerimin e diferencave ekonomike ndërmjet shtresave të popullsisë. Koeficienti Gini, i cili mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave, u rrit në 30,37 për qind, nga 29,83 për qind në vitin 2024.


Edhe raporti i të ardhurave ndërmjet 20 për qind të popullsisë me të ardhurat më të larta dhe 20 për qind të popullsisë me të ardhurat më të ulëta është rritur. Në vitin 2025, ky raport arriti në 4,83 herë, nga 4,79 herë një vit më parë.


Kjo do të thotë se të ardhurat e grupit më të pasur të popullsisë ishin mesatarisht 4,83 herë më të larta se ato të grupit me të ardhurat më të ulëta.


Në tërësi, rezultatet e Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës tregojnë se, pavarësisht rritjes së të ardhurave mesatare dhe uljes së lehtë të treguesve të varfërisë, një pjesë e madhe e popullsisë shqiptare vazhdon të përballet me vështirësi për të përmbushur nevojat bazë.


Rritja e koeficientit Gini dhe e raportit të të ardhurave ndërmjet shtresave më të pasura dhe më të varfra tregon gjithashtu se përmirësimi i nivelit mesatar të të ardhurave është shoqëruar me thellimin e pabarazisë ekonomike.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat